*Besimi i qytetarëve te qeveria e partitë politike ka rënë

Një në tre shqiptarë ose 34 % e tyre kanë qenë dëshmitarë të një rasti korrupsioni, ndërkohë që 80% e shqiptarëve nuk kanë besim në drejtësi.

Ky është rezultati i sondazhit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, sipas të cilit besimi te Gjykata ka rënë nga viti në vit me një për qind. Mbi 50% e të anketuarve nuk shprehin besim ndaj pjesës dërrmuese të institucioneve publike shqiptare.

Besimi të partitë politike ka rënë me 4 për qind, besimi te parlamenti ka rënë me 7 për qind, besimi te shëndetësia ka rënë me 5 për qind, besimi te arsimi ka rënë me 4 për qind, besimi te qeveria ka rënë me 3 për qind.

Në tërësi ata kërkojnë transparencë më të madhe mbi përdorimin e financave. Studiuesit vërejnë që ndërsa besimi ndaj institucioneve të shërbimit është në rënie, qytetarët besojnë më shumë tek institucionet e sigurisë: NATO dhe BE dhe policia kanë një rritje prej 3-5 për qind, ndërsa u rrit me 7 për qind besimi tek institucionet fetare.

Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim zbuloi se qytetarët kërkojnë politika transparente, procese gjithëpërfshirëse dhe mekanizma të llogaridhënies.

Shoqëria shqiptare ka një hendek shumë të madh midis ligjërimit politik të përditshëm dhe asaj që besojnë qytetarët.

Shqiptarët besojnë përherë e më shumë tek institucionet ndërkombëtare si NATO dhe BE, si parandaluese dhe zgjidhëse të krizave, se sa tek institucionet e shtetit të tyre.

Sipas tij, besimi i qytetarëve te forcat politike është më i ulëti në rajon, ky besim sa vjen e ulet dhe kjo tregon se partitë nuk janë demokratike, por janë klienteliste. Qytetarët janë të zhgënjyer sepse partitë ndikojnë fort në vendim-marrje, duke penguar institucionet që të zbatojnë ligjin, thotë zoti Krasniqi.

Ai shtoi se besimi i qytetarëve te gjykatat dhe te parlamenti vazhdon të bjerë, ndërkohë që reforma në drejtësi pritet të kryhet nga ky parlament përherë e më pak i besueshëm. Partitë nuk bëjnë transparente burimet e financimeve të tyre.

Besimi i qytetarëve te parlamenti është i ulët kryesisht për shkak të mënyrës se si trajtoi ligjin e dekriminalizimit.

Besimi i tyre është më i lartë te forcat e sigurisë dhe sa vjen e ulet më tej te institucionet e shërbimit, ku në fakt pritet të duket cilësia e qeverisjes. /VOA