Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë së arrestit në burg për Denis Shtrazën, një nga autorët e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut. Shtraza u arrestua të premten, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, teksa ishte duke udhëtuar jashtë vendit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur prova të mjaftueshme, që trupi gjykues ta shpallë arrestimin të ligjshëm dhe të vendosë qëndrimin e Shtrazës në burg deri në fund të hetimeve dhe gjykimit të tij për akuzat që do të ngrihen.
Pavarësisht pretendimeve për aktivitetin e tij, Shtraza më parë ka qenë dënuar vetëm me disa muaj burg për kryerjen e dy plagosjeve, në vitin 2008.
Denis Shtraza, 33 vjeç, ka mohuar përfshirjen e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e 40-vjeçarit Gazmend Çollaku, që u mor peng më 6 janar, në qytetin e Durrësit, dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin, të Krujës.





