Ministri i energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar që Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përfshirë në listën e zyrtarë të kallëzuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme për dëme ekonomike të shkaktuara shtetit. Njëkohësisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallzuar edhe 51 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të niveleve të larta për shkelje të ndryshme në detyrë.

Për periudhën janar ­ dhjetor 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer në total 174 auditime, nga të cilat 158 janë të përfunduara. Vetëm në sektorin e tatim-taksave, për vitin 2015, është shkaktuar një dëm prej 92 milionë Euro, në sektorin e doganave dëmi arrin në 31 milionë Euro, ndërsa në fushën e prokurimeve publike janë verifikuar 19 milionë Euro dëme.

Por, rekordi mbahet nga dëmi i shkaktuar nga marrëveshja me kompaninë çeke CEZ Group, e cila hoqi dorë nga aksionet e saj në kompaninë CEZ Shpërndarje sha dhe u largua miqësisht nga vendi ynë. Verifikimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe Avokaturës së Shtetit kanë treguar se ministri Gjiknuri dhe avokatja e shtetit Alma Hicka janë gjetur përgjegjës për procedurën e ndjekur dhe negociatat që sollën përgatitjet e marrëveshjes me CEZ Group, me një dëm 479 milionë Euro.

Por, Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka njoftuar se ku qëndrojnë hetimet për kallzimet e kryera.