*Prindërit: Mësuesin e falim, të kthehet në mësim!
Një ditë pas ndalimit të mësuesit të biokimisë Flamur Paja, prindërit e 14-vjeçarit A. P., i dhunuar nga mësuesi, deklarojnë se e kanë falur veprimin e kryer nga profesori. “Djali ynë është i lëvizur më shumë seç duhet, ne e kemi deklaruar edhe në polici edhe kudo, edhe në drejtorinë e shkollës që mësuesi të mos largohet nga puna për shkak të fëmijës tonë! Por kam një vërejtje për drejtoreshën e shkollës, pse e bëri publike në media videon?”
Nëna e 14-vjeçarit Miranda, tepër e shqetësuar, edhe tre ditë pas ngjarjes, në një prononcim për “DurrësLajm”, deklaroi se edhe policisë i kishte thënë që mësuesi është i falur prej tyre si prindër. “Kemi tri ditë me këtë histori që na ka sfilitur. E mësuam mbrëmë që mësuesin e djalit e kanë ndaluar policia. Ne i kemi thënë policisë që e kemi falur mësuesin, të kthehet në shkollë, të japë mësim. Ne e dimë si prindër që djali ynë është shumë i lëvizur dhe ai e ka provokuar të gjithë klasën dhe mësuesin. Ç’mund të themi, kemi tri ditë që na ka rënë bomba. Pse u përhap video e djalit tonë? Kush e përhapi, kur video ishte në zyrën e drejtoreshës së shkollës? Pse duhet të ndodhte e gjithë kjo, se kemi tri ditë që jemi publikuar sa në shkollë e në polici?”, tha nëna e 14-vjeçarit e cila punon si sanitare në qendrën shëndetësore të lagjes numër 14 në Shkozet.
Edhe babai i djalit Artan H., i pyetur nga “DurrësLajm tha: “Deklarimet tona i kemi dhënë në institucionet përgjegjëse. Edhe te drejtoresha e shkollës, edhe në polici. Mbrëmë kemi qenë deri në orën 12 të natës në polici. I kemi dhënë atje të gjitha deklarimet, dhe kemi kërkuar të mos ketë denoncim nga ana jonë në lidhje me mësuesin. Ne si prindër e kemi falur, dhe duam vetëm qetësi në shtëpi e në familje, sepse kemi tri ditë që nuk po vëmë gjumë në sy nga sikleti e shqetësimi i madh.”





