Afrim Bakaj lë detyrën e kreut të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke u bërë “kurbani” i radhës i marrëveshjeve politike për zgjerimin e koalicionit mazhoritar qeverisës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tani do të jetë “territor” i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Krahas këtij institucioni të rëndësishëm, PDIU do të marrë edhe drejtimin e dy institucioneve të tjera: Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (ish-Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave) dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial.

Që prej dy ditësh tashmë, Bakaj ka dorëzuar dorëheqjen e tij, dhe pranë Partisë Socialiste në Durrës, mësohet se ajo ka ardhur për shkak të ndryshimit të konfiguracionit brenda koalicionit qeverisës. Afrim Bakaj vjen nga Durrësi dhe u emërua në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si një mënyrë për të njohur fitoren që arriti Partia Socialiste në këtë qytet.

N.H.