Migrimi mund të kompensojë popullsinë në plakje të Bashkimit Evropian, por për disa vende rënia e popullsisë është ende e pashmangshme në dekadat e ardhshme. Raportet e Eurostat sugjerojnë se vendet kryesore të zhvilluara të Evropës do të pësojnë rënie të numrit të popullsisë, ku në krye të listës qëndron Gjermania. Ndërkohë, vendet e Ballkanit, si Shqipëria, do të ofrojnë tjetër panoramë në vitet e ardhshme, ku rritja e popullsisë do të vazhdojë për shkak të arsyeve natyrore.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria, Bosnja-Hercegovina dhe të tjera vende të rajonit, si: Mali i Zi dhe Maqedonia, do të vijojnë rritjen e popullsisë, ku si arsye e vetme e kësaj tendence citohen faktorët natyrorë. Ndërsa Serbia dhe Kroacia janë grupuar me vendet që do të pësojnë rënie të popullsisë.

Një sërë vendesh të Bashkimit Evropian, si: Belgjika, Danimarka, Spanja, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar do të kenë një rritje të popullsisë, që ndryshe nga vendet e Ballkanit, nuk do të vijë për shkaqe natyrore, por si rrjedhojë e migracionit.

Projeksionet sugjerojnë se Greqia, Portugalia, Bullgaria, Sllovakia dhe Letonia do të mund të shohin një rënie drastike të një të tretës së popullsisë deri në vitin 2080, ndërsa Lituania do të pësojë rënien më të madhe proporcionale të popullsisë, me 37,4 përqind.

Në vitin 2080, popullsia britanike mund të arrijë më shumë se 85 milion, ndërsa Gjermanisë do t’i bjerë nga 80 milion në 65 milion, bazuar në të dhënat e raportit më të fundit të Eurostat.