Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka mbyllur betejën e tij me drejtësinë, duke u shpallur përfundimisht i pafajshëm për akuzat e ngritura pasi, praktikisht, Prokuroria e Tiranës vendosi ta falë atë. Prokuroria e Tiranës ka tejkaluar afatin, duke mos depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Gjykatës së Apelit, duke bërë që ky vendim të marrë formë të prerë.
Prokuroria e Tiranës dyshoi se Ardian Fullani, në kohën kur ishte guvernator i Bankës së Shqipërisë, me mosveprimet e tij kishte krijuar lehtësira që Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia të vidhnin 713 milionë lekë në Departamentin e Thesarit të Bankës së Shqipërisë.
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dhe Gjykata e Apelit kundërshtuan dyshimet e organit të akuzës, duke vendosur për pafajësi. Ndërkohë, afati për të apeluar vendimin e Gjykatës së Apelit ka dy ditë që ka kaluar dhe mungesa e një rekursi do të thotë se Prokuroria e Tiranës ka hequr dorë. Tani Fullani është plotësisht i pafajshëm.





