Kush është shkarkuar nga puna? Këto pikëpyetje si çekanë janë duke ngritur punonjësit e Hipotekës në Durrës, që u ka hyrë frika në palcë, pas shkarkimeve të lajmëruara, por pa u identifikuar punonjësit e shkarkuar.
Ankth e stres te ZRPP-ja në Durrës. KLSH ka publikuar shkarkimin e 7 punonjësve të Hipotekës në Durrës, por asnjë prej tyre nuk e di kush është hequr nga puna.
Një ditë më parë u bë publik lajmi që ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka shkarkuar nga detyra për mosrespektim të afateve të shërbimit 4 juristë dhe 3 hartografë. Të gjithë punonjësit sot janë në krye të detyrës, dhe presin me ankth mbërritjen e zarfit nga Ministra e Drejtësisë. Askush prej tyre nuk e di se çfarë e cilët janë emrat e larguar nga puna. Vetëm për këtë flitet nën zë në zyrat e ZRPP-së, ndërsa po një ditë më parë ka kërkuar dorëheqjen edhe drejtori i kësaj drejtorie, Jyrgis Çyrbja.
Burime zyrtare pohuan se vendimi i Ministrisë ende nuk është zbardhur dhe pritet që të mbërrijë në këtë drejtori pasditen e sotme, ose gjatë ditës së nesërme. Pa mbërritur zarfi me emrat e shkarkuar, të gjithë janë me zemër në dorë për vendin e punës në ZRPP.
K.H.





