*Njerëzit shtypen në radhë, u bie të fikët, në sportele nuk ka recepsioniste!

Si kurrë më parë, radha në sportele nis në 6:00 të mëngjesit e nuk përfundon as në tre të drekës. Këto janë fotot e shkrepura në mesditë nga operatori Elvis Popi, ku fare qartë dallohet se njerëzit me libreza shëndetësore në duar duhet të presin me orë të tëra.

Janë banorë jo vetëm nga qyteti i Durrësit që vijnë në poliklinikë për t’u pajisur qoftë edhe me një vërtetim të thjeshtë shëndetësor për të filluar punë, apo për t’u pajisur me raporte mjekësore, e për të kryer vizita të ndryshme, por nga gjithë rrethinat.

Qytetarët:

Në të dy sportelet në katin e parë, qytetarët shprehen se duhet të vijnë disa ditë me radhë për të mbaruar punë.

“Është tmerr, këtu nuk mbaron punë, sportelistja sa vjen ikën, zhduket. Nuk është se mbaron punë të tjera. Populli pret!”

“Është tmerr, këtu po na vjedhin, se ngjishen njerëzit kush e kush të mbarojë punë. Dhe çfarë, vetëm për t’u regjistruar, për të marrë një numër, se pastaj radha është lart para derës së specialistit për vizitë. Kush ka para i jep nën dorë e mbaron punë, nuk pret në radhë! Të bësh dokumentet për patentë, do një javë të rrish në poliklinikë! A kanë sy këta drejtues që po e bëjnë popullin si bagëti?”, shprehet një tjetër qytetar.

“Nëna është e sëmurë me tension, nuk rri dot në këmbë, kam zënë radhën që në mëngjes, është ora 12:00 dhe vijnë hyjnë njerëz pa radhë e askush nuk pyet për pensionistët. E si të mos mjaftojë kjo, punonjëset janë arrogante!”, shprehet një pensioniste.

“Është tmerr, më dhemb veshi, dua të vizitohem te specialisti, por në radhë këtu janë bërë edhe më keq. Janë banorë që prej Ishmit, Shijakut e Durrësit, këtu vijnë nga të katër anët e Durrësit, dhe na lënë në pritje, të shtypemi!”, thotë një qytetar tepër i shqetësuar.

“Po na vjedhin hajdutët, këtu vijnë disa herë. Kanë ardhur dhe është bërë qameti, se futen në radhë me ne, dhe vjedhin portofolat e popullit. Kështu ndodh kur nuk ka shtet, nuk ka ligj! Kështu është kur ministri Beqaj gënjen për të gjitha. Këtu nuk ka shërbim, dhe sy nuk kanë vetëm drejtuesit e Durrësit!”