Duket se deklarata e kryebashkiakut kryeqytetas Erion Veliaj se ai do arkëtonte gjobën e vendosur ndaj Partisë Demokratike para mbylljes së mandatit të tij do të dalë e vërtetë. Të paktën deri tani, në fazën e parë të apelit. Bashkia e Tiranës ka hedhur poshtë ankimimin e kryer nga Partia Demokratike, për gjobën prej 16,3 miljonë lekë që iu vu pas protestës së 8 dhjetorit të vitit të kaluar.

Pas protestës së 8 dhjetorit, Bashkia e Tiranës gjobiti Partinë Demokratike me 16,3 miljonë lekë, për të gjitha dëmet e shkaktuara pronës publike nga protestuesit. Në listën e detajuar të dëmeve që i është bashkangjitur gjobës, e që kryebashkiaku Veliaj e ka pubikuar edhe në rrjetet sociale, përfshihen venprime të tilla, si: derdhje të kazanëve të plehrave, shkulje të pemëve, shkulje të gurëve dekoratikë, shkarravitje të mureve dhe hapësirave të tjera publike, etj. Ajo që bie në sy është fakti se Partia Demokratike është gjobitur edhe për 87 persona që kanë urinuar në publik, gjatë protestës.

Ndonëse fillimisht të gjithë u tallën me këtë gjobë, Partia Demokratike e ankimoi atë pasi, në rast të kundërt, do të duhej ta paguante ose Bashkia e Tiranës do t’i bllokonte llogaritë bankare. Ankimimi i parë doli pa sukses, ndërsa tani pritet të shihet nëse selia blu do të t’i drejtohet gjyqësorit.