Disa media kosovare kanë publikuar sot deftesën e shkollës së mesme të presidentes Atifete Jahjaga, ku shiheshin notat jo edhe aq të mira të saj, ndërkohë që reagimi ka qenë i menjëhershëm, duke thënë se publikimi kishte vetëm për qëllim degrimin e figurës së saj dhe pengimin për të kandiduar edhe për një mandat tjerët në krye të shtetit kosovar.
Personalitete të shoqërisë civile dhe opozita e kanë lidhur publikimin me qëndrimin që ka mbajtur presidentja Jahjaga, ku ende nuk e ka bërë të njohur botërisht vendimin e saj për të mos kandiduar. Ndërkohë, në anën tjetër dihet tashmë dëshira dhe vullneti i Hashin Thaçit për t’u zgjedhur në këtë post të lartë shtetëror.
Jahjaga konsiderohet si një figurë, e cila ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe për këtë arsye publikimi i deftesës së shkollës së mesme është konsideruar si i qëllimshëm dhe denigrues.