Ministria e Drejtësisë ka reaguar menjëherë pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke vendosur shkarkimin e të 14 punonjësve të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër. Njoftimi nga ardhur nga vetë Ministria e Drejtësisë, e cila ka bërë të ditur se ministri Ylli Manjani kishte firmosur urdhërat e shkarkimit.
Kontrolli i ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Shkodër, ka nxjerrë në dritë shkelje të natyrave të ndryshme. Në raportin e hartuar, krahas evidentimit të shkeljeve, 14 punonjës ishin paditur penalisht, ndërkohë që për 20 të tjerë rekomandoheshin masa administrative.
Ministri i drejtësisë Manjani, teksa ka shkarkuar punonjësit e paditur penalisht, ka nxitur Prokurorinë e Shkodrës që të hetojë deri në fund shkeljet ligjore të kryera.





