Tre të arrestuarit të dyshuar si vrasës me pagesë, kanë mbërritur nën masa të larta sigurie në Gjykatën e Durrësit. Gjatë seancës së parë gjyqësore që do të mbahet sot, do të jepet dhe masa e sigurisë për ta.

Ndërkohë, mësohet se tre të arrestuarit Gazmend Dervishi 38 vjeç, Bruno Shehu 31 vjeç, dhe Dritan Nikolli 38 vjeç, nuk i kanë pranuar akuzat që rëndojnë ndaj tyre, se ata do të kryenin një vrasje.

Familjarë të shumtë të 3 të arrestuarve ndodhen në ambientet e gjykatës ku presin të njihen me masën e sigurisë që pritet të jepet ndaj tyre.

Arrestimi

Tre shtetasit e mësipërm janë ndaluar tri ditë më parë pas informacioneve të marra në rrugë operative, se ishin përgatitur për një ngjarje të rëndë kriminale në zonën e Maminasit. Në afërsi të autostradës Durrës-Tiranë në Maminas, nga policia e Shijakut u është bërë me shenjë të ndalojnë, por mjeti nuk ka ndaluar. Më pas në ndjekje të tyre janë vënë uniformat blu të Shijakut e të Durrësit, ndërsa më vonë erdhën edhe përforcime nga Tirana.

Policia bëri me dije se në afërsi të Fabrikës së Tullave në Maminas, identifikuan mjetin tip “Benz”, me xhama të zinj, me targa gjermane HTB564, me drejtues shtetasin Gazmend Dervishi dhe pasagjerë shtetasit Dritan Nikolla dhe Bruno Shehu. Efektivët e Policisë i kanë bërë me shenjë të ndalojnë, por drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi. Efektivët e Policisë e kanë ndjekur për rreth 30 minuta deri sa kanë bërë të mundur bllokimin  e automjetit dhe të personave që ndodheshin në mjet.

Në automjetin me të cilin udhëtonin tre të rinjtë janë gjetur armë zjarri, kapuça, maska dhe një bidon benzinë, që sipas hetuesve do të shërbente pas krimit për të djegur automjetin me të cilin lëviznin.