Mbajtja e fëmijëve në shtrat me prindërit nuk është një çështje kaq individuale. Jo gjithmonë ka të bëjë me formimin, pasi janë kulturat e vendeve ku ne rritemi që shpesh na ndikojnë në këtë zgjedhje.

Një studim i vitit 2016 thotë se në vende të ndryshme ky problem, nëse mund ta quajmë të tillë, ka përmasa të ndryshme. Në botën perëndimore, mbajtja e fëmijëve në shtrat nuk është normë e zakonshme. Përkundrazi, në Amerikë ka rregulla të cilat nxisin çiftet që fëmijët t'i çojnë në dhomën e tyre qysh në ditët e para të jetës. 

Por, në shumë vende të tjera ndodh që prindërit dhe fëmijët të ndajnë shtratin për disa vite. Ky është rasti i Azisë, ku prindërit i mbajnë bebet e tyre në shtrat deri në atë pike sa ai të jetë pak më i rritur dhe të shkojë në një krevat më vete, gjithmonë në të njëjtën dhomë me ta. 

Gjithashtu, në disa vende të kontinentit, është praktike që fëmija të flerë në një shtrat kolektiv me të gjithë anëtarët e familjes si, gjyshërit, xhaxhallarët, tezet, etj. Kuptohet që ky është rasti i familjeve patriarkale.

Ndarja e shtratit prind-fëmijë është praktikë e ndeshur edhe në Europe dhe Australi. Por, referuar studimit të sipërpërmendur, i cili është fokusuar në grupmoshën e fëmijëve midis 3-10 vjeç, rezulton se ky problem është më i vogël në keto vende sesa në Indi, ku  93 përqind e fëmijëve flenë në të njëjtin krevat me prindërit. Në Kentucky të Amerikës, u raportua se kjo gjë ndodhte në 15% të fëmijëve 2 javësh deri 2 vjeç.

E pavarësisht debateve dhe mendimeve që përplasen mbi këtë fenomen, Akademia Amerikane e Pediatërve inkurajon prinderit që të ndajnë dhomën me fëmijën, pa përcaktuar ndonjë kufi moshor se deri kur mund të zgjasë kjo; por kurrësesi të njëjtin shtrat.