Zbardhet vrasja e dy ditëve më parë të 45-vjeçarit Fatmir Pula në Krujë.
Policia e Durrësit bën me dije se ekzekutimi i tij ka ndodhur për motive grabitjeje, ndërsa janë arrestuar 5 autorët e krimit dhe është bërë shpallja në kërkim e autorit tjetër. Të pesë personat e arrestuar që planifikuan dhe realizuan vrasjen kanë marrëdhënie familjare me njëri-tjetrin, ndërsa dy prej tyre, ishin dhe fqinj me viktimën.
U arrestuan:
• Admir Haka 32 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
• Herton Haka 18 vjeç, lindur në Zezë, Krujë;
• Aleksandër Haka 28 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë;
• Hekuran Boci 23 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë;
• Olti Metuku (Agron), banues në Kamëz, Tiranë.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit:
• Elton Ceka, banues në Tiranë.
Zbardhja dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes u bë si rezultat i një pune intensive dhe të pandërprerë, nga efektivët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me efektivët e Kamzës dhe Krujës.
Mekanizmi i ngjarjes
Viktima po kthehej nga lokali i tij që e kishte me qira në Kamëz, për në banesë, në fshatin Zezë, Krujë.
Olti Metuku e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën në momentin që ai ka dalë nga lokali dhe ka lajmëruar autorët e tjerë.
Herton Haka, vëllai i Admir Hakës, ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikel për në Zezë dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina në të cilën ndodhej viktima, po vinte në drejtim të tyre.
Elton Ceka dhe Admir Haka, të dy të armatosur, Elton Ceka me një armë zjarri automatik dhe Admir Haka me pushkë, i kanë bllokuar rrugën viktimës me thasë me shkarpa dhe shtetasi Elton Ceka ka qëlluar me 4 plumba me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit Fatmir Pula, i cili ka gjetur edhe vdekjen e menjëhershme.
Aleksandër Haka i ka furnizuar me fishekë autorët, i ka strehuar natën e krimit, dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe armët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Armët e sekuestruara:
• një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62;
• një pushkë model 63;
• 4 copë fishekë luftarakë.
Marrëdhënia e autorëve me njëri-tjetrin
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Admir dhe Herton Haka janë vëllezër dhe njëkohësisht fqinj me viktimën.
Aleksandër Haka është djali i xhaxhait të shtetasve të mësipërm.
Ndërsa, Hekuran Boci dhe Olti Metuku janë kunetërit (burrat e motrave) të shtetasve Admir dhe Herton Haka.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale:
“Vjedhje me pasojë vdekjen kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve Admir Haka, Herton Haka, Hekuran Boci, Elton Ceka dhe Olti Metuku.
“Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit Aleksandër Haka.
S.L.





