Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura në shkrimin e botuar nga rrjeti investigativ BIRN dhe në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike. Sipas njoftimit të OSHEE, gabimi i artikullit qëndron tek interpretimi i shifrave, pasi të ardhurat ishin të ndryshme nga arkëtimet.

“Në artikull… bëhet një krahasim midis arkëtimeve të OSHEE për vitin 2015 me të ardhurat e realizuara për të njëjtin vit, – thuhet në njoftim. – Së pari, këto janë dy të dhëna të ndryshme, ku arkëtimet janë shuma e lekëve të arkëtuara nga pagesat e klientëve të OSHEE dhe deklarohen me TVSH, ndërkohë të ardhurat janë vlera e energjisë së faturuar, të cilat në pasqyrat financiare të shoqërisë paraqiten pa TVSH.”