Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i Shteteve të Bashkuara, ka njoftuar se, gjatë vitit 2015, 1 përqind e vizitorëve që hynë në Shtetet e Bashkuara qëndruan në vend përtej afatit të vizës, duke përfshirë edhe 207 shtetas shqiptarë.
Në raportin e publikuar përfshihen të dhëna për 45 miljonë vizitorë që duhet të kishin ikur para skadimit të afatit të vizës. Por, rreth 416 500 prej tyre ende nuk ishin larguar.
Ndër vizitorët nga Shqipëria, nga 6 123 vetë që hynë në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2015, 207 vetë, ose 3,38 përqind e tejkaluan afatin e vizës. Ndërkohë, raporti thekson se vizitorët nga vende që kanë marrëveshje për lëvizje pa viza kanë nivele më të ulëta të shkeljes së afateve se sa ata vendet e tjera, ku qytetarëve u kërkohet marrja e vizave.





