Bilall Sherifi, sekretari i Nismës për Kosovën, në një intervistë të shkurtër të dhënë për gazetën “Blic”, ka theksuar se opozita nuk do të tërhiqej dhe dhe se rezistenca do të vazhdonte si në Kuvend, ashtu edhe në rrugë.

“Sesioni i ri i Kuvendit nuk duhet të fillojë fare, – ka thënë Sherifi. – Nëse megjithatë mazhoranca vepron njëjtë dhe thërret seancë, atëherë edhe opozita do të veprojë njësoj, që do të thotë do të vazhdojmë të pamundësojmë zhvillimin normal të seancave.”

Sherifi, ndër të tjera, konsideron që ky koalicion nuk ka as kredibilitet e as legjitimitet që të ftoj opozitën për t’u ulur në një tryezë. “Daljen nga kriza politike e kanë ata në dorë, – thotë sekretari i Nismës për Kosovën. – E tëra që duhet të bëjnë është të pranojnë të japin llogari për shkeljen e Kushtetutës dhe të japin dorëheqje. Kjo do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme përmes të cilave do të rilegjitimohej e tërë skena politike.”