Pas takimit tripalësh që u mbajt në Tiranë mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, krerët e diplomacisë dolën në një deklaratë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së tij, ministri i jashtëm Ditmir Bushati theksoi luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm si mjaft të rëndësishme. Po ashtu, mes çështjeve të diskutuara ishte edhe kriza e emigrantëve.
“Diskutuam për krizën e emigrantëve e cila përbën një shqetësim për rajonin tonë,” – tha ministri Bushati. Më tej, kreu i Ministrisë së Jashtme renditi disa prej çështjeve të dikustimit që u shtruan në tryezën trepalëshe. “Italia është vendi i parë sa i takon shkëmbimeve tona tregtare. Do dëshironim që ky tren të vijojë të konsolidohet. Por nga ana tjetër dëshirojmë që edhe shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Serbisë të forcohen edhe më tej. Diskutuam për shqetësimet që do të përballet rajoni ynë. Të zgjerojmë bashkëpunimin tonë trepalësh edhe në sektorin e energjisë,” – tha Bushati.





