Me ardhjen e motit të ftohtë, sasia e energjisë elektrike të konsumuar është rritur ndjeshëm. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka deklaruar se sasia e energjisë që konsumatorët po shpenzojnë gjatë këtyre ditëve është rritur me 30 përqind, duke sjellë kështu një mbingarkesë në pjesë të caktuara të sistemit, dhe sidomos në kryeqytet.

Grupet e punës së avarisë në OSHEE riparuan, rreth orës 12:30 të ditës së sotme, defektin e shfaqur mbrëmjen e shkuar në Nënstacionin Qendër, si edhe u punua për vendosjen në punë edhe të gjashtë kabinave në zonën e Bulevardit Zogu I.

Si pasojë e mbingarkesës dhe rrjetit të amortizuar, gjatë paradites së sotme u dogjën dy transformatorë që furnizojnë me energji elektrike zonën pranë Televizionit Shqiptar.