Ministri i punëve të brendshme Saimir Tahiri u ka dërguar letër dy redaksive të lajmeve, “Corriere TV” në Itali dhe britanikes në versionin online “Daily Mirror”. “Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës, që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga reportazhi juaj,” – shkruan ministri Tahiri në letrën për “Corriere TV”.

“Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur, duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist,” – nënvizon ministri i punëve të brendshme.