Bashkia e Tiranës i ka dorëzuar titullin “Qytetar Nderi” akademikut dhe historianit të njohur Kristo Frashëri. Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku ishin të pranishëm familjarë të historianit të njohur, kryebashkiaku Erion Veliaj i dorëzoi titullin akademikut Frashërit, titull që ishte miratuar nga Këshilli Bashkiak që në vitin 2012.
Akademiku Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dhe monografi shkencore, që trajtojnë ngjarje, personalitete dhe proçese të historisë së Shqipërisë. Ai mban edhe shumë vlerësime të tjera, ndër të cilat janë dhe “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.





