“Të deklasuar nga çdo pushtet”! Kështu e konsiderojnë veten ish-banorët e Kukësit të vjetër, pronat e të cilëve përfunduan poshtë liqenit të Fierzës, i cili furnizon me energji elektrike të gjithë shqiptarët.
Muhamet Zymeri, 60 vjeç, është një prej këtyre banorëve që jeton në zonën e ish-Kënetës në Durrës prej vitit 1997. Banesa e tij, edhe në ish-Kënetë, është e para që përmbytet, por që për asnjë përmbytje nuk ka marrë dëmshpërblim. Në këtë dimër të acartë, ai dhe 6 fëmijët e tij ushqehen me bukë e lakër të bardhë turshi, të vetmet ushqime që iu gjenden në banesë. Shtëpia e tyre përbëhet nga ca blloqe betoni, ku era e fortë depërton midis tyre, benda të ashtuquajturave dhoma, kuzhinë e korridor. Këtu ngrohje nuk ka, ndërsa papunësia e varfëria janë të ulura këmbëkryq. Fëmijët nuk vazhdojnë më shumë se 8 apo 9 klasë shkollë.
Muhamet, çfarë ka ndodhur me ju? Prej sa kohësh jetoni këtu?
Prej 1997 jetojmë në ish-Kënetë. Jemi familjet e shpërngulura nga Enver Hoxha, pasi shtëpitë tona i zuri liqeni i Fierzës. Që atëherë kemi mbetur emigrantë në vendin tonë. Shkuam në fermë, dhe atje tokat e fermës u morën nga persona që nuk kishin lidhje, më pas erdhëm në Durrës.
Po këtu, jeni përmbytur?
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2015, shtëpia u përmbyt e gjitha. Sa herë bie shi përmbytemi, por në qershor ishte shumë rëndë. Na erdhën na bënë fotografi dhe me kaq u mbyll se nuk na dhanë asnjë dëmshpërblim. 6 fëmijë pa punë, unë dhe gruaja po ashtu. Më parë edhe gjenim punë, por tani nuk ka.
Nuk keni marrë asnjë dëmshpërblim?
Jo, na u prish gjithçka në qershor, e në vend të bënim suvatimin e shtëpisë se na hyn era brenda, u detyruam të blinim ndonjë plaçkë tek të përdorurat.
Po për ngrohje?
Nuk ka ngrohje. Mbështillemi me batanije. Kjo sepse nuk mund të blejmë dru zjarri, ka shkuar 50 mijë lekë metër kubi. Gruaja kërkon punë si pastruese në ndonjë lokal apo shtëpi, ndërsa unë që punoja në ndërtim, nuk kam më punë. E kanë mbyllur ndërtimin.
K.H.