Një familje e varfër prej 5 anëtarësh jeton në kushte ekstreme të mjerueshme në veri të vendit. Gëzim Ndoji, një invalid nga fshati Dongjon i Fanit të Mirditës, nuk ka para të paguajë energjinë elektrike, dhe prej gati një viti, ai jeton në errësirë, së bashku me 3 fëmijët e mitur dhe bashkëshorten. Fatura ka arritur vlerën e 90 mijë lekëve, të papaguara.
Gazeta “Panorama” shkruan se të ardhurat e kësaj familjeje janë 10 mijë lekë, nga pensioni i invaliditetit. Gëzim Ndoji ka kryer dy operacione në zemër dhe nuk mund të bëjë asnjë punë.
Por situatës së vështirë të kësaj familjeje, i shtohet dhe presioni i drejtorit të OSHEE-së në Mirditë, i cili i ka kërkuar para për të rilidhur dritat. Ryshfeti arrin vlerën e 30 mijë lekëve të rinj. Gëzim Ndoji ka dy zgjedhje, ose të paguajë 90 mijë lekët në shtet ose 30 mijë lekë për drejtorin e OSHEE-së.
“Ka më shumë se 11 muaj që ne si familje jemi pa energji elektrike. Shkak është bërë se ne jemi debitorë ndaj OSHEE-së, në një vlerë prej 90 mijë lekësh të rinj. Unë nuk kisha mundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike dhe drejtori i OSHEE-së në Mirditë, madje me ka kërkuar 30 mijë lekë të rinj nën dorë për të më rilidhur energjinë. E vetmja e ardhur që kemi ne si familje është pensioni i invaliditetit, 10 mijë lekë. Me ato më duhet të jetoj dhe të mbaj tre fëmijët. Unë jam i operuar në zemër dy herë dhe nuk jam i aftë të kryej asnjë lloj pune. I bëj thirrje shtetit që të shikojë gjendjen se si jetoj bashkë me fëmijët, pasi askush nuk është interesuar. E vetmja kërkesë që unë kam, është të më lidhin energjinë elektrike në një llambë, të paktën për fëmijët”, u shpreh kryefamiljari Gëzim Ndoj për “Panoramën”.
Bashkëshortja e tij, Kleudina, përlotet teksa kujton momentin kur i shoqi nuk pati mundësi të paguajë as mjekun për ndërhyrjen në zemër. Por ky i fundit thirri policinë dhe Gëzimi përfundoi në burg. Kleudina shprehet se u detyrua të shesë unazën e martesës për ta nxjerrë bashkëshortin e sapo operuar nga burgu.
“Ne jemi në kushte ekstreme në një dhomë gati të shembur. I bëj thirrje çdokujt që ka mundësi, të paktën të na ndihmojë që na rikthehet energjia elektrike, pasi kam edhe fëmijën 3 muajsh që po vdes nga i ftohti. Është tepër e vështirë që të jetohet pa drita”, shprehet mes lotëve e zonja e shtëpisë.

(Shtëpia e familjes Ndoji)





