Rrugët rurale, në Qarkun e Dibrës, kanë filluar të paraqesin probleme nga moti i ftohtë dhe i shoqëruar me reshje bore, ndaj Policia e Shtetit u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin zinxhirët. Ndërkohë, zona e Lurës raportohet se ka mbetur e izoluar, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.
Probleme ka edhe në disa fshatra të tjera, si në Selishtë dhe në Kala të Dodës, ndërsa të izoluar mbeten fshatrat Radë, Bellovë, Cerjan dhe Zagrad. Në zonat malore, në lartësi 800 m mbi nivelin e detit, trashësia e borës i ka kaluar 30 cm.
Rruga kombëtare Peshkopi – Qafa e Buallit është e kalueshme, pasi në gadishmëri qëndrojnë 10 automjete borëpastruese. Ndërkohë, rrugët Peshkopi – Kala e Dodës dhe Ura e Çerenecit – Steblevë kalohen me zinxhirë.





