Temperaturat që do të shoqërojnë vendin tonë në ditët e ardhshme do të arrijnë në nivele ekstremisht të ulëta, deri në minus 17 gradë në zonat malore, dhe kjo për shkak të një mase të ftohti me origjinë nga Arktiku, që tashmë ka pushtuar Europën qendrore dhe një pjesë të asaj lindore.
I njohur ndryshe si “i ftohti arktik”, acari do të bëjë që ky dimër të jetë më i ashpri në vitet e fundit, thotë meteorologia e Top Channel-it. Ajo deklaroi se gjendja e motit në vendin tonë do të përkeqësohet në ditët e ardhshme.
Dita e martë dhe e mërkurë do të shënojë edhe temperaturat më të ulëta, nga -15 deri në -17 gradë në zonat malore, ndërsa ato maksimale do të jenë po në vlera negative, deri në -5 gradë.
Këtu do të përfshihen edhe zonat bregdetare, pra edhe Vlora e Durrësi do të arrijnë vlera -2 deri në -4 gradë, ndërsa në Tiranë parashikohet që në mëngjesin e së martës do të arrijë -7 gradë celcius.
Qytetarët duhet që të kenë kujdes, pasi këto temperatura do të sjellin edhe probleme të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të qarkullimit, pasi era e ftohtë do të konvertojë borën në akull.





