Nëntë ditë pas përmbytjeve që shkaktoi lumi Erzen në Shijak, Sukth e rrethinat e tyre, situata në familjet e përmbytura është e nderë. I ftohti i nisur këtë fundjavë i shoqëruar me reshje shiu ka shtuar në këto familje edhe më shumë panikun, se Erzeni mund t’i godasë përsëri. Në banesat e tyre, varfëria e mjerimi është ulur këmbë kryq, ndërsa një pako me ushqime dhe nga dy batanije, i ka bërë edhe më të mjerë në sytë e botës. Jo të gjithë kanë marrë ndihma nga bashkia e Shijakut kur janë ndarë, por diferencimi i bërë në shpërndarje, ka sjellë jo pak zemërim te familjet e përmbytura.
Urime Koleci, një grua e re, ka qenë e vetme në banesë së bashku me fëmijën 2 vjeç, kur ndodhi përmbytja. Vetëm sot paradite ka mundur që të kthehet në banesën e rrënuar me fëmijën e saj. “Nuk na bëjnë fajde një kg makarona e oriz, kur lumi na mori gjithçka. As dy batanije të falura, sepse në shtëpitë tona nuk ka mbetur asnjë gjë. Shpëtova unë e djali 2 vjeç, sepse gjithçka që kishim iku sa hap e mbyll sytë për 30 minuta. Nuk kam një dyshek ku të vë djalin në gjumë”.
Robin Dani, një tjetër banor i lagjes Sallmone, prind i tre fëmijëve, thotë se i ktheu fëmijët pas një jave në banesën e përmbytur, por frika se Erzeni do të shpërthejë sërish qëndron çdo moment në shtëpitë e tyre. Etleva, bashkëshortja e tij, thotë se grupet e punës të ngritura kanë evidentuar dëmet, por deri tani nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.
Duke nisur nga enët e kuzhinës, nga lugët, pirunët, veshjet, batanijet, dyshekët, lavatriçet, dhe gjithçka tjetër ka dalë jashtë përdorimi në këto familje. Nëse ishin të varfër para përmbytjeve, tani po zhyten në borxhe. Çdo send që u mungon në familje po merret borxh në dyqane, duke i bërë edhe më të varfër.
K.H.





