Policia e Durrësit ka arrestuar mëngjesin e sotëm dy të rinj për armëmbajtje pa leje.

Arrestimi i dy shtetasve Juxhin Kapllani 28 vjeç, dhe Daniel Bushi 32 vjeç, të dy banues në Durrës, u bë në dy vende të ndryshme, në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme të policisë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve dhe mbajtjen nën kontroll të personave me rrezikshmëri shoqërore.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, Juxhin Kapllanit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në lagjen Nr. 18, iu gjetën dhe iu sekuestruan:

• një armë zjarri pistoletë tip "ECOL";

• dy kapuça sintetikë;

• një telefon celular.

Ndërsa Daniel Bushit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar në lagjen Nr. 3, rreth orës 01:00, iu gjetën dhe iu sekuestruan:

• një armë zjarri pistoletë tip "TT";

• një krehër me 8 fishekë dhe 4 fishekë model 54, kalibër 7.62 mm.

Ndaj dy të arrestuarve rëndon akuza e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”.

S.L.