Dita e premte e në vazhdim do të sjellë përkeqësim të motit.

Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Ministria e Brendshme thotë se moti në të gjithë territorin e vendit, pritet të jetë me reshje intensive shiu dhe bore, të cilat do të shoqërohen me ulje të theksuara të temperaturës.

Kjo do të bëjë që të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale, në lartësinë mbi 200 m mbi nivelin e detit, të preken nga bora dhe ngricat. Disa nga akset më problematike mund të jenë ato të Shkodër-Lezhë-Milot; Rruga e Kombit; Pogradec-Korçë-Kapshticë; Vlorë-Llogara-Himarë etj.

Rrethet që pritet të preken nga bora deri në fund të ditës së shtunë janë kryesisht në rajonet lindore të vendit, nga veriu në jug. Ndërsa reshjet e shiut pritet të jenë në sasinë më të lartë në Qarkun e Shkodrës, ku mund të shkojnë deri në 90 mm.

Për t’i paraprirë situatave problematike, Ministria e Brendshme ka udhëzuar pushtetin lokal të marrë masa, mbi të gjitha për mirëmbajtjen e rrugëve. Gjithashtu janë porositur autoritetet vendore të mbikëqyrin punën e subjekteve të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve.