Janë ndaluar sot tre doganierë në Pikën Kufitare Kakavijë pasi dyshohet se kishin shmangur nga detyrimi doganor një mjet me rreth 1, 3 tonë mallra ushqimorë.
Policia tha se të tre doganierët do të akuzohen për shpërdorim detyre. Doganat shqiptare janë në qendër të vëmendjes kohët e fundit për treguesit e mos-realizimeve financiare. Pak kohë më parë një seri ndryshimesh prekën drejtimin e lartë të tyre. Shtatë zyrtarë, mes të cilëve dhe në poste të larta drejtuese, u arrestuan në fillim të dhjetorit me akuzën për përfshirje në aferën e rreth 4, 2 milionë litrave naftë të papërpunuar që kishte përfunduar nga depozitat e një kompanie private në tregun e konsumatorëve në shkelje të ligjit.
Kryeministri Rama, pak ditë më pare, kërkoi gjatë analizës vjetore në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave masa të forta për të përmirësuar treguesit financiarë.





