Qeveria e Katarit ka nisur sot në zonat e përmbytura shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore. Të pranishëm në momentin e nisjes së këtij aksioni kanë qenë ambasadori i shtetit të Katarit Yousuf Hassen Al-Saai, aktivistë dhe drejtues të shoqatës Qatar Charity, ministri i mirëqenies sociale dhe rinisë Blendi Klosi, deputetja Esmeralda Shkjau si dhe dhe kryetarët e bashkive Durrës dhe Shijak.
Ministri Klosi pasi ka falenderuar ndihmat e siguruara nga qeveria e Katarit tha se shteti dhe strukturat lokale do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah banorëve të përmbytur në gjithë zonën e prekur.
Ambasadori i Katarit tha se ndihmat e siguruara për banorët e zonave të përmbytura kanë vlerën e 110 mijë dollarave dhe po shihet mundësia për të vazhduar me ndihma të tjera deri në rikthimin e jetës normale për këta banorë.
Për shpërndarjen e ndihmave janë angazhuar punonjës të bashkisë së Shijakut dhe Durrësit. Zonat më të prekura nga përmbytjet janë Shijaku, Sukthi dhe Katundi I Ri.
K.H





