Një javë pas rrëmbimit dhe vrasjes makabre të Gazmend Çollakut, policia e Durrësit ka marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë të fejuarën e 34-vjeçarit. Sipas burimeve policore, e fejuara e tij, e cila që prej 6 muajsh punon juriste në Hipotekën e këtij qyteti, ka deklaruar dje se Gazmendi ka pasur shoqëri të zgjeruar dhe se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të tij me persona të tjerë. E reja është shprehur se së bashku me Gazmendin banonin në një shtëpi të marrë me qira në lagjen nr.6 të Durrësit, shkruan sot "Gazeta Shqiptare".
“Me Gazin jam fejuar disa muaj më parë. Duheshim shumë dhe shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Ai ishte shumë i dashur dhe shkonte shumë mirë me familjen e tij dhe timen. Gjatë verës morëm një shtëpi me qira. Gazi ishte njeri shumë i mirë dhe miqësor, por nuk më ka folur asnjëherë për problemet e tij”, ka deklaruar para bluve e fejuara e Çollakut.
Ndërkohë, policia e Durrësit u shpreh se e reja di më shumë në lidhje me aktivitetin e viktimës, por është treguar e rezervuar. Ndërkaq, mësohet se e fejuara ishte ndër personat e parë që mbërriti në vendin ku u rrëmbye 34-vjeçari. Mësohet se ajo është marrë në pyetje edhe dy herë të tjera pas ekzekutimit, por nuk ka dëshmuar asgjë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Gjithashtu, burimet e mësipërme sqaruan se viktima kishte në pronësi të tij një skaf si dhe një makinë me vlerë prej 100 mijë eurosh.
Gazmend Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit në Durrës dhe u gjet të nesërmen i vrarë me 5 plumba pistolete në kokë në fshatin Murqin të Krujës. Me gjithë hetimet intensive, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve të krimit.





