Pavarësisht se kreyeministri serb Aleksandar Vucic i konsideroi si shumë të shtrenjta, zëvëndëskryeministri rus Dmitry Rogozin u tregua i gatshëm për të gjetur forma të buta financimi me qëllim që Beogradi të pajisej me sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Prej më shumë se një viti, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë janë acaruar, duke u shndërruar tani në një garë të vërtetë armatimi.
Kroacia nuk hoqi dorë nga pajisja me sistemin raketor tokë-tokë, me rreze 300 km, duke bërë që tani Serbia të ndërmarë hapat e veta konkrete.
Në vitin 2014, presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një vizitë zyrtare në Serbi, ku u zhvillua edhe një paradë ushtarake, e para pas shumë viteve atje. Një vit më vonë, më 5 gusht, Kroacia bëri të njëjtën gjë, duke zhvilluar një paradë ushtarake me rastin e 20-vjetorit të Ditës së Fitores. Të dy vendet nisën debatin, sa i përket qëllimeve të Kroacisë për të modernizuar forcat e veta ushtarake.
Zagrebi njoftoi vullnetin për të blerë 16 copë sisteme raketore tokë-tokë me rreze 300 km nga Shtetet e Bashkuara, armë që ka natyrë tërësisht sulmuese. Megjithatë, Zagrebi mbron qëndrimin se një armë e tillë do të shërbente si deterrent ndaj sulmeve nga armiqtë.
Reagimi i Beogradit ishte i menjëhershëm. Kryemninistri serb Vucic, para pak muajsh, vizitoi Moskën, ku edhe u diskutua për modernizimin e forcave ushtarake serbe. Në atë kohë, kryeministri Vucic tha: “Nëse ata do të pyesin se pse ne po e bëjmë këtë, më mirë të pyesin veten se pse ata kanë nevojë për armë të tilla, në një kohë që rrethohen nga disa vende anëtare të NATO dhe një vend joanëtar, që është Serbia.” “Serbia kurrë nuk ka për të sulmuar një vend tjetër, – pati thënë kryeministri serb. – Unë nuk i kuptoj qëllimet e Kroacisë, pse Kroacia ka nevojë për raketa balestike.”
Rogozyn: Zgjerimi i NATO, i rrezikshëm
Ndërkohë, dy ditë më parë, Beogradin e vizitoi zëvëndëskryeministri rus Dmitry Rogozin, i cili e bëri të qartë qëllimin e vizitës. Sipas tij, Moska do ta ndihmonte Beogradin pasi, zgjerimi i NATO në Ballkan ishte i rrezikshëm. “Zgjerimi i NATO në Malin e Zi dhe, potencialisht, edhe drejt Maqedonisë, ngre dyshime të forta për Rusinë, – tha zëvëndëskryeministri Rogozyn në Beograd. – Zgjerimi është i rrezikshëm, ne e konsiderojmë si provokim dhe nuk mund të mos reagojmë.”
Duke folur mbi mundësinë e armatosjes së Serbisë, zëvëndëskryeministri rus tha: “Këtu bëhet fjalë për lloje të ndryshme armësh, kryesisht sisteme mbrojtëse.”
Pavarësisht se nuk u përmendën armët që Serbia kërkon nga Rusia, zëvëndëskryeministri Rogozyn, mes dhuratave simbolike që kishte me vete, pasi edhe një maket të sistemit të mbrojtjes kundërajrore, të modelit S-300.
Ajo që diskutohet prej dy vitesh tashmë duket se, për fat të keq, po bëhet realitet: Kroacia dhe Serbia, padyshim edhe Ballkani, janë duke u përfshirë në një garë armatimi.