Pas dy vrasjeve të fundit në Durrës ende pa autorë, të dy të rinjve në datë 20 dhjetor 2015, Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt, dhe rrëmbimit e vrasjes së 34-vjeçarit Gazmend Çollaku më 6 janar, ngjarje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, ka folur kreu i policisë së qarkut Durrës Perlat Çullaj.
“Policia e Durrësit po punon në dy drejtime për parandalimin e ndonjë përplasjeje të mundshme midis grupeve, pasi krimet dyshohen se ndodhën për prishje pazaresh droge dhe hakmarrjeje, si dhe hetimin e gjithanshëm për të vënë para drejtësisë autorët e krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda”, tha Çullaj.
Këtë deklaratë kreu i policisë së qarkut e bëri gjatë analizës vjetore të punës së policisë së Durrësit, ku u theksua se kriminaliteti ka pësuar rënie me 50 % nga viti i shkuar për sa i përket vrasjeve, vjedhjeve me pasojë vdekje dhe shpërthimeve me tritol.
“Një punë shumë e mirë është bërë nga policia në sezonin veror në Durrës, ku për herë të parë, nuk u shënua asnjë ngjarje që mund të sillte pasoja në turizëm.
Kapja e disa grupeve që trafikonin e mbanin eksploziv, ka sjellë rënie të numrit të shpërthimeve në komisariatin e Fushë-Krujës gjatë 2015-s.”
K.H.





