Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë ka mbyllur diskutimet sot pasdite vonë, duke dalë me versionin e tyre të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, të cilat përbëjnë reformën në sistemin e drejtësisë, ndonëse pa praninë e përfaqësuesve të opozitës dhe pa marrë parasysh mendimet e opozitës.

Reforma në sistemin e drejtësisë është një proçes që zgjat prej muajsh, duke çuar edhe në përfshirjen e ambasadorit amerikan Donald Lu për shkak të mungesës së konsensusit mes palëve. Dokumenti i parë, i cili përbante kryesisht parimet themelore mbi të cilat do të reformohej sistemi i drejtësisë dhe do të ndërtoheshin institucionet e reja të drejtësisë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të shumta, u arrit që të përmbyllej dhe t’i dërgohej për shqyrtim Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias i dha rekomandimet e veta dhe, para disa ditësh, u mblodh një grup ekspertësh të nivelit të lartë nga mazhoranca dhe opozita, për të rënë dakort për një dokument të vetëm konsensual ndryshimesh konkrete kushtetuese dhe ligjore. Palët e nisën mirë diskutimin, por ekspertët e opozitës u larguan, pasi nuk ishin dakort me mënyrën e propozuar nga ekspertët e mazhorancës për formën se si do të emëroheshin gjykatësit dhe anëtarët e institucioneve të tjera të drejtësisë. Mazhoranca propozoi votim në Kuvend me tre të pestat e të gjithë deputetëve, ndërsa opozita kërkoi votim me dy të tretat e të gjithë deputetëve.

Fakti se mazhoranca i ka tre të pestat e deputetëve të Kuvendit solli akuzat nga e opozitës për mundësinë e kapjes së drejtësisë.

Megjithatë, sot pasdite, grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, pa praninë e përfaqësuesve të opozitës, ka përfunduar proçesin e diskutimit. Në dokumentin e hartuar janë përfshirë disa mendime të Ministrisë së Drejtësisë dhe të opozitës, të bëra të ditur më herët. Por, ekspertët e mazhorancës nuk kanë ndryshuar formën e votimit në Kuvend për emërimin e gjykatësve dhe anëtarëve të institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë.

Dokumenti i përgatitur nesër do të niset për në Komisionin e Venecias.