Gazmend Çollaku dyshohet se “është marrë në pyetje” për disa orë pas rrëmbimit në Durrës, para se të vritej e të hidhej në anë të rrugës në Krujë.

“Panorama” shkruan sot se ekspertiza e kryer në trupin e 34-vjeçarit, që u gjet pa jetë në fshatin Murqin të Krujës, ka zbardhur detaje nga mekanizmi i ngjarjes. Besohet se pasi është rrëmbyer në lokalin në Durrës dhe është vendosur në makinën tip “Audi”, autorët e ngjarjes kanë pasur komunikim të dhunshëm me Gazmend Çollakun.

Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, viktima ka pasur shenja të dallueshme të dhunimit gradual para se të vritej. Sipas aktit të autopsisë, i cili ende nuk ka dalë përfundimisht për t’u vënë në dispozicion të prokurorisë, dhuna ndaj Çollakut ka nisur me tri goditje në kokë me tytën e armës ose me sende të tjera të forta. Viktimës, më pas i janë shkaktuar dëmtime të tjera në pjesën e duarve dhe të këmbëve, ndërsa ka pasur edhe goditje të lehta në trup.