Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të shtrijë në të gjithë vendin aplikimin e skemës së re të shpërndarjes së ndihmës ekonomike, duke shtrënguar në maksimum kriteret për përfitimin e saj. Tani, ndihma ekonomike nuk do të përfitohet më në bazë vjetore, por përfituesit do të seleksionohen çdo muaj, duke u paraqitur pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Familjet dhe personat në nevojë përfitojnë ndihmë ekonomike prej 3 800 lekë në muaj, e cila u shpërndahet atyre nga njësitë vendore. Por, fondi akordohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe është pikërisht ky institucion që përzgjedh përfituesit.
Shtrëngohen kriteret e përfitimit
Kushti themelor për përfitimin e ndihmës ekonomike është papunësia. Për këtë arsye, përfituesit duhet të shkojnë çdo muaj pranë Zyrës së Punës për të konfirmuar statusin e tyre si të papunë punëkërkues. Zyra e Punës lëshon një vërtetim që konfirmon statusin e papunësisë, gjë që sjell përfitimin e ndihmës ekonomikë.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka ndërtuar regjistrim kombëtar të ndihmës ekonomike dhe, aktualisht, janë afro 80 mijë familje që e përfitojnë atë. Por, shtrëngimi i kritereve do të sjellë uljen e këtij numri. Në momentin që Zyra e Punës i ofron punë një personi punëkërkues, ai automatikisht përjashtohet nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike, pavarësisht faktit nëse ai e pranon atë vend pune ose jo.
Regjistri kombëtar i ndihmës ekonomike
Gjatë vitit të kaluar, ndërtimi i regjistrit kombëtar të ndihmës ekonomike ishte një project pilot që u aplikua vetëm në Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Me fillimin e këtij viti, ai tashmë është funksional në të gjithë vendin dhe është i lidhur drejtpërsëdrejti me regjistrin kombëtar të tregut të punës. Shërbimi Kombëtar i Punësimit, duke regjistruar çdo kërkesë për punëtorë që vjen nga subjektet publike apo private, do të jetë në gjendje t’u ofrojë punë të papunëve punëkërkues.
Por, kriter nuk do të jetë vetëm papunësia. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të aplikojë një sistem pikëzimi, ku do të përfshihen edhe element të tjerë përzgjedhës. Në këtë mënyrë, familjet që do të përfitojnë ndihmë ekonomike, bazuar në nivelin e arsimit, llojin e strehimit, numrin e anëtarëve në familje, etj., do të jenë ato familje që sistemi i pikëzimit i nxjerr sa më afër kufirit të varfërisë.
Objektivi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është që çdo vit të ulë me 5 përqind numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike.





