Rrëmbimi dhe vrasja e Gazmend Çollakut, nuk është kryer nga i njëjti grup kriminal që rrëmbyen Enver Stafukën në vitin 2013. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit pohuan për “DurrësLajm” se personat e veshur me uniforma policie që rrëmbyen 34-vjeçarin nga Durrësi janë persona të tjerë, nuk janë “policët” që realizuan rrëmbimin e Stafukës. Rrëmbyesit e këtij të fundit kanë përmasa trupore të tjera, janë më të mëdhenj e më të bëshëm. Sipas bluve të Durrësit, kjo ka rezultuar nga verifikimi i kamerave të sigurisë në vendin ku u rrëmbye Çollaku. Pavërsisht se në të dyja rastet është ndjekur i njëjti stil rrëmbimi, autorët nuk janë të njëjtët.
Ndërkaq, nga veprimet e kryera nga policia është konfirmuar se vrasja e Çollakut është kryer pikërisht në vendin ku ai është gjetur, dhe jo më parë. Një detaj që bën policinë të dyshojë në këtë pistë është fakti se në vendin ku u gjet i ekzekutuar Gazmend Çollaku, policia gjeti edhe 4 gëzhoja të një arme zjarri pistoletë.
Sipas policisë, krimi është kryer nga një grup i organizuar kriminal, bazuar në faktin se nga hetimet e kryera është konstatuar se veprimet e autorëve kanë qenë thuajse perfekte, që nga rrëmbimi në Durrës me veshje të ngjashme me ato të policisë, e deri te dërgimi i tij dhe vrasja në fshatin Murqin në Krujë.
Sipas hetuesve, itinerari i ndjekur nga autorët e mundshëm të krimit, besohet se ka qenë ai nga Durrësi nëpërmjet autostradës, ndërsa janë kthyer në nënkalimin e Vorës për të marrë më pas në drejtim të fshatit Budull, e për të përfunduar në Murqin.
Po sipas të njëjtave burimeve policore, nga hetimet intensive të deritanishme, rezulton se vrasja e Gazmend Çollakut ka të bëjë me vrasjen që ndodhi më 20 dhjetor të vitit të shkuar në Durrës, ku mbetën të vrarë pas një atentati me armë zjarri, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj. Çollaku ishte shoqëruar në polici pas vrasjes, ku dhe kishte pranuar se kishte pasur shoqëri më parë me dy viktimat. Dyshohet se ekzekutimi i Çollakut u bë për hakmarrje, pas prishjes së pazareve të drogës.





