Çdo dimër, shumë qytete në vend përmbyten nga reshjet intensive. Megjithatë ka dhe disa që bëjnë përjashtim. Korça është ndoshta një shembull i mirë për t’u ndjekur. Po pse nuk përmbytet ajo që ta mësojnë edhe të tjerët? 

“Shqiptarja.com” shkruan se arkitekti korçar Piro Zguro ka një përgjigje për këtë: 

“Korçarët mendjemëdhenj, fodullakë dhe nikoqirë nuk ndërtuan si të babëzitur. Rrugët dhe rrugicat i lanë atje ku ishin. 
Ndërkohë qiellgërvishtëset po ngriheshin anë e kënd vendit Korça mbeti ashtu e mbledhur dhe e vockël. Erdhi dita dhe filluan shirat e përmbytjet. Ngado shihje njerëz që strukeshin ose luftonin me ujin. Vetëm në Korçë njerëzit hapën çadrat, zunë tavolina kafenesh pranë dritares dhe shijonin pikat e shiut që trokisnin në xham në shoqërinë e ndonjë shoku ose shoqke të bukur”.