Urbanizimi për zonën informale të ish-kënetës në Durrës do të zgjidhë edhe problemin e përmbytjeve nga reshjet. Kryebashkiaku Vangjush Dako ka shoqëruar sot në zonën e ish-kënetës ministren e zhvillimit urban Eglantina Gjermeni, ku edhe kanë inspektuar punimet për rikonstruksionin e disa rrugëve atje, për të cilat Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka akorduar një fond prej 245 miljonë lekë.

Ministrja Gjermeni tha se “nëpërmjet urbanizimit të zonave të tilla parandalohen dhe evitohen edhe përmbytjet.” “Legalizimi dhe urbanizimi i zonave informale janë dy proçese që do të ecin paralelisht edhe në vitin që sapo ka nisur, – tha Gjermeni. – Ndërhyrje të tilla të planifikuara në infrastrukturë dhe kanalizime parandalojnë përmbytjet, sidomos po ta krahasojmë situatën me disa vite më parë.”

Ndërkohë, kryebashkiaku Dako tha se, “krahas rrugëve, në zonë po përfundon edhe ndërtimi i një kopshti për të vijuar gjatë këtij viti me projektet e urbanizimit të të tjerave zonave informale në Bashkinë e Durrësit.”