Pas videoskandalit të transmetuar në emisionin “Stop” në Tv Klan, ku një mësuese rreh një nxënës të klasës së tetë në Tiranë, ka reaguar Ministria e Arsimit, e cila e ka identifikuar mësuesen në fjalë dhe ka nisur procedurat për shkarkimin e saj nga detyra.
“Menjëherë pas transmetimit të kësaj videoje, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, i është drejtuar personalisht Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë qytet, për nisjen e grupit të inspektimit për verifikimin e ngjarjes që shfaqet në video. Pas verifikimit, ditën e sotme, rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Lumturi Bulku, mësuese prej 38 vitesh pune në profilin Edukim Figurativ.
Ngjarja ka ndodhur në muajin nëntor, 2015, gjatë orës së Edukimit Figurativ, në klasën e VIII -të, të shkollës 9-vjeçare “Ramazan Jarani”, Tiranë.
Në këto kushte, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë në bashkëpunim me shkollën kanë filluar menjëherë procedurën disiplinore të largimit nga puna të mësueses për shkak të përdorimit të dhunës fizike ndaj nxënësve”, njofton MAS në një deklaratë për shtyp.





