Trupi i pajetë që u gjet i vrarë sot në fshatin Murqin të Krujës i përket Gazmend Çollakut, 33-vjeçarit që u mor peng mbrëmjen e djeshme pranë dy kullave në sheshin “Taulantia”.

Viktima u gjet sot në orën 7:30 të mëngjesit, i lidhur këmbë e duar me pranga plastike dhe i qëlluar me armë zjarri. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Çollaku është qëlluar me plumb pas koke.

Trupi i viktimës u gjet nga një banor i zonës, i cili më pas lajmëroi menjëherë policinë. Ndërkohë, mësohet se uniformat blu ndodheshin në terren, pasi dyshohej se pengu ishte dërguar në Malësinë e Krujës. Sipas burimeve policore, makina tip "Audi" në të cilin ndodhej pengu, i humbi gjurmët në Marikaj.

Ngjarja

Gazmend Çollaku, banor i lagjes numër 18 në Durrës, person me precedentë penal u rrëmbye nga katër persona të maskuar si punonjës policie mbrëmjen e djeshme në parkingun pranë dy kullave binjake në sheshin “Taulantia”.

Rrëmbimi ka ndodhur rreth orës 19:10 nga katër persona ende të paidentifikuar nga policia e Durrësit, të cilët pasi e kanë futur në bagazhin e një automjeti tip "Audi" me targa gjermane, janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka shoqëruar së paku 20 persona dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, për të sqaruar konfliktet që mund të jetë përfshirë viktima, i cili ishte i fejuar me një vajzë nga qyteti i Durrësit. Çollaku ka qenë i dënuar vite më parë për një plagosje, dhe sipas policisë së Durrësit, dyshimet kanë ekzistuar se ka qenë i përfshirë edhe në trafik droge.

Grupi hetimor sekuestroi pamjet filmike të lokalit ku ka qëndruar duke pirë kafe Çollaku. Nga pamjet e kamerave të jashtme të lokalit hetuesit kanë evidentuar makinën tip Audi me targa gjermane. Regjistrimet e kamerave janë marrë si provë materiale. Gjithashtu po vijon puna për identifikimin e personit i cili e ka thirrur Çollakun, brenda në lokal. Hetimet janë duke u zhvilluar paralelisht në disa pista, në drejtim të përfshirjes së tij në ndonjë pazar të prishur droge, të ndonjë borxhi ndaj personave të tjerë, apo ndonjë konflikt më të hershëm.