Katër persona të maskuar si policë rrëmbyen mbrëmjen e djeshme 33-vjeçarin nga Durrësi, Gazmend Çollaku. Rrëmbimi ka ndodhur rreth orës 19:10, nga katër persona ende të paidentifikuar nga policia e Durrësit, të cilët pasi e kanë futur në bagazhin e një automjeti tip Audi me targa gjermane, janë larguar në drejtim të paditur.

Gazeta “Panorama” shkruan se i rrëmbyeri prej disa kohësh lëvizte me makinë të blinduar. Policia po heton për ngjarjen në lidhje me të shkuarën kriminale të Çollakut, pasi ky i fundit më parë ka qenë i akuzuar për një plagosje dhe armëmbajtje pa leje dhe dyshohet se është i përfshirë në ndonjë rrjet kriminal.

Hetimet janë duke u zhvilluar paralelisht në disa pista, në drejtim të përfshirjes së tij në ndonjë pazar të prishur droge, të ndonjë borxhi ndaj personave të tjerë, apo ndonjë konflikt më të hershëm

Rrëmbimi i tij ndodhi në zonën më të populluar të Durrësit, në shëtitoren “Taulantia” në vendin e njohur si dy kullat në Vollga, fare pranë vendit ku ndodhi dhe atentati pak kohë më parë ndaj dy të rinjve që u ekzekutuan me armë, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.