Situatë katastrofike në Shijak dhe në 5 fshatrat e kësaj bashke si pasojë e përmbytjeve. Gjatë gjithë natës, ka vijuar evakuimi i banorëve të Shijakut dhe të fshatrave që përshkon lumi Erzen, me anë të mjeteve të ushtrisë dhe policisë, tha kryetari i bashkisë Ardian Kokomani.

Deri në orën 19:00 të ditës së djeshme, ishin evakuuar 40 familje, ishin përmbytur 300 hektarë tokë bujqësore, 1 stallë bagëtish dhe dy kantiere ndërtimi.

Gjatë gjithë natës, lumi Erzen pati prurje të mëdha dhe uji ka hyrë në një numër të madh banesash në Sallmone, Katund Sukth, Hardhishtë, Gjepalaj etj.

Ndërkohë, pas dy orësh pritet të ketë një evidencë të familjeve të përmbytura dhe të dëmeve të shkaktuara. Në një komunikim të fundit në orën 8:00 të mëngjesit, Ardian Kokomani tha se dëmet janë të pallogaritshme dhe shumë të mëdha, ndërkohë që shtabi i emergjencave dhe Prefekturës është në terren.