*Emigrantët : Deri kur shteti ynë do na shohë si lopë, për të mjelë çdo vit? Mbetëm si endacakë në radhë për pasaporta! Shtetit shqiptar nuk i kemi borxhe, veç paratë tona kërkon!
Është e trishtueshme, e mjerueshme dhe e pavend, teksa me dhjetëra e qindra emigrantë, përdore së bashku me fëmijët e tyre, që u kthyen për festat e fundvitit në atdhe, kanë mbetur në dyert e policisë e gjendjes civile, duke pritur të marrin pasaportat e reja biometrike për fëmijët. Një realitet, që përtej të imagjinueshmes, tregon se si shteti ynë, ky që na udhëheq, e që me paratë që sjellin emigrantët, pretendon rritjen ekonomike, ky që po i trajton emigrantët si endacakë.
Janë nisur në kufi për t’u kthyer në vendet e tyre të punës, pasi kaluan festat me familjet, por janë kthyer mbrapsht nga autoritet kufitare, pasi kanë mësuar se pasaportat e fëmijëve të tyre me të cilat janë pajisur në vitet 2009-2010, të cilat skadojnë në vitet 2019-2020, kanë dalë të papërdorshme. Janë kthyer e kanë zënë radhë te zyrat e gjendjes civile, në polici, në zyrën e aplikimeve për të pajisur fëmijët me pasaporta.
“Më vdiq nëna para dy ditësh, e varrosa, dhe do ikja në Itali, por policia më ktheu. Mua më heqin prej pune, fëmijët mbetën pa shkollë. Pasaportat iu skadonin në 2019-n, pse nuk na thanë? Pse na sjellin vërdallë, çfarë shteti është ky? Ku ta gjej të drejtën time?”, thotë një emigrant i revoltuar.
“Nuk i kam ndonjë borxh shtetit shqiptar. Fëmijët shkuan deri në Kakavijë dhe u kthyen mbrapsht. Pse pasaportat i kanë brenda afatit, tani janë kthyer e i bëjnë të reja nga 180 mijë lekë për tri ditë. Po paguajnë qimet e kokës fëmijët, me lekët që i nxjerrin me gjak e djersë në kurbet. Shtetit ynë po i mbyt fare”, thotë një e moshuar.
“Po na mjelin deri në pikën e fundit të gjakut, po na sorollatin, çfarë janë këto vendime, absurde! Të na i kthejnë mbrapsht paratë që kemi aplikuar. Tani pasaportat janë për tri ditë nga 18 mijë lekë të rinj për çdo fëmijë. Shpenzime pa fund”, thotë një tjetër prind i dëshpëruar.
Policia:
Policia e Durrësit bëri me dije se pas festave të fundvitit nuk lejohet të kalojë kufirin asnjë person i pajisur më pasaportë në vitet 2009- 2010, me një urdhër të Ministrisë së Brendshme. Kjo ka bërë që të ketë fluks të shtuar për aplikimin me pasaporta biometrike në afatin tre ditor në zyrat e shtetit.
K.H.





