Reshjet e dëborës në qarkun e Kukësit, Korçës, Shkodrës e Dibrës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor.

Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile dhe pushtetit lokal këshillojnë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të vendosin zinxhirët në disa akse problematike.

Pas monitorimit të situatës dhe masave të marra, në qarqet e lartpërmendura nuk raportohet ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike apo probleme të emergjencave mjekësore.

Në bazë të të dhënave dhe informacioneve të Emergjencave Civile, situta sipas qarqeve më problematikave:

Në qarkun Kukës,mjetet borëpastruese po punojnë për të mbajtur hapur akset Kalimash – Morinë; Kukës – Ura e Zapodit; Krumë – Qafë Prush – Kam -B.Curri – Valbonë, ku vërehet prezencë e ngricave.

Qarku është përfshirë nga reshje të dendura dëbore ku lartësia në qytete shkon: Kukësi 12 cm, Has 25 cm, Tropojë 30 cm. Në lartësitë mbi 700 m lartësia e dëborës varion nga 30 deri në 50 cm.

Në qarkun Korçë,përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në një pjesë të aksit rrugor Korçë – Dardhë.

Në qarkun Shkodër,rrugët në Pukë, Shkodër dhe Malësi e Madhe janë të kalueshme, përveç aksit Bardhoc – Iballë, dhe Bogë – Theth, i bllokuar në vendin e quajtur Qafë Thore ku ka rreth 70 cm dëborë, si edhe në aksin Bardhet – Iballë.

Në aksin Qafë Mali – Fierzë dhe Pukë – Fushë Arrëz, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Në qarkun Dibër, temperaturat e ulëta sot janë pasuar nga një mot me vranësira dhe reshje lokale shiu. Kujdes duhet treguar në akset nacionale Kala e Dodës – Peshkopi, si edhe në aksin rural rrugor Selishtë – Muhurr.

Firmat që mirëmbajnë rrugët kanë nisur hedhjen e skorjes dhe pastrimin e akseve të tjera kombëtare Peshkopi – Kala e Dodës; Peshkopi – Bllatë; Maqellarë – Ura e Topojanit – Fushë Bulqizë.

Në qarqet e tjera nuk ka problematika, nga kushtet e motit.