Është ndërprerë për tu rinisur mëngjesin e sotëm aksioni për kapjen e 30-vjeçarit Aleksandër Dushaj, autori i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Skënder dhe Abdullah Shkami në Drishtë të Shkodrës. Ndërprerja ka ndodhur për shkak të errësirës.
Operacioni kryesohet nga FNSH-ja e Shkodrës dhe mbështetet nga forcat RENEA si dhe policia e Shkodërs. Nga burime në vendin e ngjarjes mësohet se forcat e policisë kanë pasur vështirësi për shkak të terrenit të thyer. Kërkimet vijojnë nga ajri dhe toka, ndërsa po përdoret edhe qeni gjurmues. Nga të njëjtat burime thuhet se autori është futur në një zonë të pyllëzuar dhe është i armatosur dhe për këtë shkak forcat e policisë po ruhen sepse ai mund të hapë zjarr mbi ta.
Vrasja e dyfishtë në Drishtë të Postribës ndodhi rreth orës 11:30 të së shtunës. Viktimat kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri, pasi njëri prej tyre, 50-vjeçari Skënder Shkami, qe kthyer për të kaluar ndërrimin e viteve në atdhe nga Londra, ku jetonte. Ata u qëlluan me breshëri “Kallashnikovi” nga bashkëfshatari i tyre, pas një konflikti që policia e specifikon për “motive të dobëta”. Sipas bluve, autori i dyshuar kishte kërkuar me këmbëngulje vajzën e Skënder Shkamit, gjë e cila nuk qe pranuar nga ky i fundit.





