“Tirana Observer” ka bërë sot bilancin e Qeverisë “Rama” gjatë këtij viti, duke u bazuar edhe tek votat që ka dhënë qytetarët në sondazhin se: “Kush nga ministrat e qeverise “Rama” ka performancën më të mirë gjatë punës së tij?”. Sipas TO një pjesë ministrash të kabinetit Rama janë shumë larg pritshmërive, “por ky fakt nuk është marrë parasysh nga shefi i ekzekutivit, i cili nuk e ka rifreskuar asnjëherë kabinetin qeveritar, me përjashtim kur u detyrua nga rrethanat për zëvendësimin e Erion Veliajt që u largua drejt Bashkisë së Tiranës, dorëheqjes së Ilirian Celibashit dhe kur “u detyrua” nga LSI për të zëvendësuar Nasip Naçon që dha dorëheqjen me Ylli Manjanin tek Ministria e Drejtësisë”.
Ja cila është renditja
Saimir Tahiri
Duke marrë të dhënat e sondazhit, ministri më performancën më të mirë rezulton Saimir Tahiri. Ministri i Punëve të Brendshme ka marrë 101 vota ose 20 % të të gjithë votave në total. Tahiri që ka qenë edhe ministri më i akuzuar nga Partia Demokratike dhe nga një pjesë mediesh duket se është një ndër ministrat me performancën më të mirë. Në fakt, ndërhyrja në Lazarat, masat e ashpra të marra për qarkullimin rrugor kanë qenë dy nga nismat më kryesore të Tahirit.
Mimi Kodheli
Ministrja e Mbrojtjes ka marrë 13 % të vota. Gjatë muajve të parë të qeverisë “Rama” ishte ministrja më e akuzuar nga opozita për çështjen e trafikut të drogës më avionë. Së fundmi akuzat për të janë zbehur disi, por nuk kanë ndaluar disa për korrupsion në tenderë. Kodheli renditet e dyta në sondazh, ndërkohë që vlen për t’u theksuar fakti që për herë të parë në historinë e saj, Ministria e Mbrojtjes, drejtohet për herë të parë nga një grua.
Edmond Panariti
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka marrë ka marrë 11% të votave në total, duke u renditur në këtë mënyrë në tre ministrat me performancën më të mirë të qeverisë “Rama. Panariti është intelektuali i vetëm në kuptimin e plotë të fjalës në qeverinë “Rama”. Fusha e bujqësisë është apostafat për të dhe cilësohet si një ndër ministrat e paktë të vlerësuar në qeverinë “Rama”. Madje edhe akuzat nga opozita janë të rralla për të
Blendi Klosi
Pas tre vendeve të parë është Blendi Klosi ministri më i votuar. Edhe pse ka pak muaj në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Klosi ka marrë 54 vota ose 13% të votave në total. Klosi një nga socialistët më të vjetër tashmë në selinë rozë preferohet nga elektorati i majtë. Votimi i tij është ndoshta edhe një sinjal për Edi Ramën se qeveria ka nevoja për fytyra të reja.
Shkëlqim Cani
Edhe pse ekonomia shqiptare ka marrë tatëpjetën, Shkëlqim Cani renditet ndër ministrat më të votuar. Cani ka marrë 9% të votave në total. Ministri i Financave ka qenë gjatë këtyre viteve të para të qeverisë një ndër më të kritikuarit për shkak të disa reformave që nuk kanë sjellë rezultatet e duhura, por edhe sepse shumë nga këto reforma duket se kanë dështuar tashmë. Duke lënë mënjanë raportet e mëparshme, po marrim më të fundit. Dje Balkan Insight shkruante se gropa në buxhet u bë edhe më e thellë në nëntor. “Me mbi 30 miliardë lekë më pak të ardhura se sa plani fillestar, buxheti i shtetit po shënon një rekord historik keqadministrimi këtë vit, ku taksat janë rritur, çmimet janë rritur dhe ekonomia raportohet se është rritur, por të ardhurat e qeverisë kanë ngecur në vendnumëro”, theksohej në shkrim.
Eglantina Gjermeni
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka marrë 6 për qind të votave. Gjermeni është ndër ministret që edhe pse ka një dikaster delikat dhe të rëndësishëm del pak në media, duke preferuar punën në terren. Fillimisht Gjermeni pati edhe sektorin e Turizmit, por që Rama ia hoqi duke ia kaluar Arben Ahmetajt.
Ylli Manjani
Ministri i ri Drejtësisë, Ylli Manjani, ka marrë 4% të votave. Manjani deri tani mbahet mend për disa deklarata të forta që nga hipotekat ë së fundmi edhe për kancelarët. Ka përpara reformën në drejtësi, një sfidë e fortë jo vetëm për të, por të gjithë mazhorancën.
Klajda Gjosha
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ka marrë 18 vota ose 4% në total. Klajda Gjosha, një ndër figurat më të spikatura të LSI-së ishte në fillim të mandatit në qendër të vëmendjes mediatike, por me marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin e Evropian, Gjosha duket se ka humbur shkëlqimin mediatik.
Bledi Çuçi
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ka marrë 3% të votave. Bledi Çuçi do të mbahet mend gjatë për reformën administrative-territoriale. Edhe pse e kritikuar nga opozita që nuk mori pjesë në proces, kjo reformë që solli krijimin e 61 bashkive dhe zhdukjen e komunave ishte e domosdoshme për vendin, edhe pse kishte vend të bëhej edhe më e mirë.
Lindita Nikolla
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka marrë 3 për qind të votave. Nikolla ka qenë protagoniste e reformës për arsimin e lartë. Edhe pse kjo ligji kaloi me forcën e kartonëve të mazhorancës, reforma është kritikuar nga stafet pedagogjike të universiteteve publike dhe studentët. Sipas akuzave, reforma ishte klienteliste dhe nën shërbim të universiteteve private, të cilët kanë dalë edhe të fituarit më të mëdhenj nga kjo reformë. Reforma nënkupton edhe rritjen e tarifave në universitetet publike, në këtë mënyrë studentët që vijnë nga familjet e varfra dhe do të duan të bëjnë shkollën e lartë duhet ti bëjnë llogaritë mirë.
Edmond Haxhinasto
Edhe ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka marrë 3 për qind të votave. Jo për faj të Haxhinastos, por qeveria “Rama” një ndër sektorët e vet më të dobët ka ndërtimin e rrugëve. Përveç disa projekteve të mira në letër, deri tani asnjë rrugë nuk është ndërtuar, madje kanë ngelur në mes edhe rrugët e nisura nga qeveria “Berisha”. Për t’u shënuar është fakti se gjatë mandatit të kësaj qeverie u ndaluan minibusët e pasagjerëve, çka solli edhe disa protesta të tyre.
Arben Ahmetaj
Arben Ahmetaj renditet ndër ministrat me performancën më të dobët të qeverisë “Rama”, duke marrë 3 për qind të votave në sondazh. Ahmetaj edhe pse ka një ndër ministritë më të rëndësishme dhe ka një numër të madh dikasteresh në varësi si: Zhvillimi Ekonomi, Turizmi, Tregtia dhe Sipërmarrja është ndër ministrat më pak rezultativë të qeverisë.
Ndoshta kjo vjen ngaqë ka një numër të madh dikasteresh në varësi, por është ndër ministrat më të akuzuar në vend, dhe ekonomia jo vetëm që nuk është zhvilluar, por ka njohur ulje. Situata ekonomike, për të cilën Ahmetaj kishte deklaruar më se njëherë se do ta nxirrte nga bataku ku e kishte katandisur Berisha, jo vetëm që nuk është aspak e favorshme, por rrezikon t’ia kalojë në të gjithë parametrat e mundshëm kohës së Berishës, në disa ia ka kaluar tashmë. Raportet zyrtare nga vendi apo bota flasin qartë për një dështim me sukses për këtë periudhë qeverisjeje në fushën ekonomike.
Ditmir Bushati
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, renditet në listën e ministrave më performancën më të dobët. Ashtu si Ahmetaj, edhe Bushati ka marrë 3 % të votave. Diplomacia pritej të ishte një ndër pikat më të forta të qeverisë socialiste, por deri tani ka zhgënjyer. Rolin e kryediplomatit e ka marrë vetë kryeministri Rama me udhëtimet e tij të panumërta jashtë vendit duke lënë në hije Bushatin. Por dhe në rastet kur vetë ministri është marrë me çështje të rëndësishme diplomatike ka dështuar, siç ishte edhe fushata e pranimit të Kosovës në UNECO. Bushati është akuzuar edhe për emërime nepotike dhe jashtë kritereve në diplomaci.
Lefter Koka
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka marrë vetëm 2 për qind të votave. Ministria e Mjedisit ka marrë disa vendime të rëndësishme, si moratoriumi i prerjes së pemëve në pyje dhe moratoriumi i peshkimit dhe i gjuetisë. E ndërsa duket se gjuetia dhe peshkimi i paligjshëm ka rënë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë pyjet. Abuzimi me prerjen pa masë të pemëve vazhdon, një pjesë e abuzuesve janë të mbrojtur edhe nga deputetë të mazhorancës.
Milena Harito
Milena Harito që është ministre e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike ka marrë gjithsej 8 vota. Është akuzuar për emërime partiake në administratën publike, por edhe pse e akuzuar nga opozita për këtë çështje, akuzohet edhe nga socialistët e thjeshtë të cilët sërish kanë mbetur pa punë.
Damian Gjiknuri
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka marrë 7 vota. Damian Gjiknuri mban në shpinë një nga reformat më të forta të qeverisë: atë të luftës kundër informalitetit të energjisë elektrike. Reforma pati efekt duke u rritur arkëtimet, por futja në burg e familjarëve të varfër ishte një ndër veprimet më të rënda të qeverisë në këtë mandat. Por edhe pse arkëtimet u rritën, çmimi i energjisë elektrike u rrit, sërish sistemi energjetik shqiptar është katastrofik. Ndërprerja e energjisë elektrike është e zakonshme, sidomos në dimër në zonat e thella malore ku nuk është bërë asnjë ndërhyrje për rregullimin e sistemit të armotizuar. Gjiknuri është akuzuar nga opozita dhe media për tenderë korruptivë, ndërkohë që kjo ministri vazhdon të japë reklama të shumta në media, por që nuk pasqyrojnë realitetin.
Mirela Kumbaro
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka marrë vetëm 1 për qind të votave. Emërimi i saj në krye të Kulturës u prit me entuziazëm për shkak të begraundit të saj kulturor, por fatkeqësisht deri tani nuk është bërë asnjë reformë që të mbahet mend në këtë sektor. Dhe më shumë bujë pati çmimi i dhënë për “Vrimën” e Rita Petros se sa ndonjë ngjarje tjetër e kësaj ministrie.
Ermonela Felaj
Është ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe ka marrë gjithsej 4 vota. Mbahet mend se zëvendësoi në këtë post Ilirian Celibashin dhe për disa replika në Parlament. Askush nuk e ka kuptuar se për çfarë u shërben qytetarëve Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ilir Beqaj
Sëbashku me Felajn, Ilir Beqja ka marrë më pak vota se çdo ministër. Ndoshta për ministrin e Shëndetësisë kanë ndikuar akuzat e shumta për tenderë korruptivë nga opozita dhe media. Për disa nga këto tenderë ka nisur hetimet edhe Prokuroria. Edhe shëndetësia falas e premtuar me bujë nga socialistët gjatë fushatës rezultoi dështimi më i madh i kësaj qeverie. Ndërkohë që ministria hapi edhe një konflikt të madh me bluzat e bardha për testimin e tyre.