Subjektet që shesin makina pranë rrugëve nacionale të zhvendosen deri më 31 janar. Kreu i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Ergys Agasi ka qenë ditën e sotme, në krye të aksionit, për subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar me mjetet motorike në fund të jetës.
Ky aksion ka filluar rreth 1 muaj më parë e deri tani nga 212 subjekte vetëm 144 janë larguar vullnetarisht.
“Kërkoj nga inspektorët në rang vendi që të vazhdojnë kontrollin rigoroz dhe të gjithë subjekteve private që të kryejnë zhvendosjen në mënyrë vullnetare brenda afatit. Rrugët nacionale në Shqipëri nuk mund të ofrojnë pamje varreza makinash” u shpreh Agasi. Sipas tij, këto subjekte kanë afat që të zhvendosen deri më 31 janar 2016 në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare.





