Dy autobusë me turistë janë të mjaftueshëm për të mbingarkuar terminalin e trageteve në portin e Barit.

Kjo foto është pjesë e ankesës së një shtetasi shqiptar të indinjuar, i cili ka vendosur të dokumentojë me fotografi atë çfarë ndodh kur shkon nga Durrësi në portin e Barit dhe anasjellas.

Në një vështrim të këtyre fotove, krahasimi është i turpshëm për ne italianët, shkruan “La gazzetta del mezzogiorno.it”, dhe një mrekulli se si Shqipëria mund ta ketë kapërcyer deri tani (të paktën në infrastrukturë) cilësinë e shërbimeve, transmeton "Shekulli".

Dhe krahasimi vijon si më poshtë: Ka dy autobusë me turistë në stacionin detar të Barit, ku ndodhen qindra shqiptarë. Të gjithë synojnë të shkojnë në Durrës, pasi janë turistë të cilët duan të shkojnë në shtëpi. Ata vendosen në një rresht që vijon deri në pafundësi dhe rraskapiten teksa presin për kontrollet e policisë.

Problemi i parë është se janë vetëm dy oficerë të policisë të ngarkuar për kontrollin dhe vulosjen e pasaportave, ndërkohë që 4 të tjerë rrinë dhe vetëm shikojnë. Në Durrës për të mbikëqyrur dhe vulosur pasaportat dhe të dhënat e çdo pasagjeri (përveç një sistemi kompjuterik qendror), janë 12 policë. Policët që rrinë dhe kontrollojnë nga larg janë vetëm dy.

Në Durrës, portat për makinat që vijnë nga Italia janë 12, plus 8 të tjera për kamionët. Në Bari portat e dedikuara për kamionët nuk ekzistojnë dhe shoferët e kamionëve thjesht duhet të presin.

Sa i përket check-in-it elektronik: Në Durrës është automatik (në formën e vetë-shërbimit), në gjashtë gjuhë, i shpejtë dhe efikas. Në portin e Barit nuk është automatik, që nga kontrolli i kodit, gjithçka ekzekutohet manualisht.

Turistët shqiptarë duhet të vuajnë çdo herë që kalojnë në portin e Barit edhe të durojnë tone të padurueshme të superioritetit – nganjëherë abuzive – të policëve. Të gjithë nuk e marrin parasysh faktin se secili prej këtyre udhëtarëve ka paguar një “biletë” prej 11 eurosh vetëm për të qëndruar në radhë, edhe pse nuk do të ketë asnjë shërbim cilësor.

Ky është krahasimi që bëjnë mediet italiane për portet e Barit dhe të Durrësit, kur thonë se nga përtej detit shqiptarët “na japin mësime se si shërbehet me efikasitet”.